VLORA NGRITI FLAMURIN PELLAZGJIK
Më 19-20 tetor 2018, në mjediset e bibliotekës publike “Shevqet Musaraj” të qytetit të Vlorës, Qendra e Studimeve Pellazgjike, Tiranë, e drejtuar nga Pr. Dr. Luftulla Peza, organizoi simpoziumin e V ndërkombëtar: “Lashtësia historike e popullit shqiptar dhe e gjuhës shqipe”. Në mbarëvajtjen e punimeve ndikoi dukshëm edhe përkujdesja e personelit të bibliotekës së qytetit. Mungesa e përfaqësuesve të institucioneve shkencore shtetërore duhet shpjeguar me faktin se linja zyrtare shqiptare nuk mbështet rrugëtimin e identitetit tonë nisur nga pellazgët dhe që shqipja të cilësohet si “fosile” e gjallë e gjuhëve së lashta, ndaj edhe nuk pranon të përballet me mendimin ndryshe. Argumentet i mbështesin në faktin se Eqrem Çabej ka mundur t’ia ulë entuziazmin deri edhe Enver Hoxhës dhe t’ia mbushë mendjen se Spiro Konda e Zacharie Mayani e kanë gabim për pellazgët dhe etruskët…
Mbajtja e këtij simpoziumi nën kujdesin e veçantë të kryetarit të bashkisë së Vlorës, zotit Dritan Leli, i cili i përshëndeti edhe personalisht punimet, tregon sakaq edhe për mbështetjen që ky pushtet vendor u jep përpjekjeve të studiuesve për dritësimin e origjinës sonë të lashtë. Po kështu, deputetja e Vlorës, zonja Vilma Bello, e doktoruar në gjuhësi, duke u uruar pjesëmarrësve punime të mbara dëshmoi me qëndrimin e saj se mbështet debatin shkencor në këtë fushë të studimeve, edhe pse “vihet dorë” mbi tabutë. Njëherësh, me bindje të palëkundur se ne jemi vazhdues të pellazgëve, edhe drejtuesi i bibliotekës publike z. Çlirim Hoxha, intelektual i përkushtuar, duke sfiduar “sinorët” solli besimplotë qëndrimin e tij.
Sot vendvarrimi i Nermin Vlora Falaskit në Kaninë është ndër më të vizituarit nga vendësit, jo vetëm se e ndjera qe mbesë e Ismail Qemalit, por edhe për të nderuar veprën e saj mbi lidhjet e etruskishtes me shqipen. Fondacioni që mban emrin e kësaj studiueseje të pavdekshme, i drejtuar nga Znj. Zenepe Luka, është sakaq dëshmi e gjallë se Vlora antikonformiste nuk pajtohet me qëndrimin zyrtar se nuk paskemi lidhje me etruskët dhe etruskishten, atë që gjuhësia zyrtare e përjashton nga familja indoeuropiane.
Onomastika historike shqiptare nuk ka përse të qëndroje symbyllur kur gjendet tek “Varri i Pellazgut”, në Tërbaç të Vlorës, apo kur vranishtiotët kaherë dëshmojnë në vargje të një kënge për luftën e Vlorës (1920) se vendësit me emrin pellazg njohin stërgjyshin biologjik:
“Shqiptarët, bijt’ e Pellazgut,
Trima dhe të zot’ e gjakut, …”
Ndaj edhe nuk është rastësi që në këtë tetor, në Vlorë, u valëvit flamuri pellazgjik në praninë e pjesëmarrësve nga trojet shqiptare dhe të mërgatës gjithandej. Ndaj edhe studiuesi, shkrimtari e gazetari Çlirim Hoxha, me përkrahjen e intelektualëve vlonjatë e me mbështetjen e drejtuesve vendorë, u bëri konak pellazgologëve e atyre që e shohin shqipen si parake ndër gjuhë.
Mikpritësi Çlirim Hoxha përmes referatit “Autoktonus”, për vazhdimësinë e pandërprerë pellazgo-iliro-shqiptare, pos të tjerave, solli shembullin emërtues të perëndeshës DEMETER, që pranohet nga studiuesit e mitologjisë se ka kuptimin “nëna tokë” ose “toka pjellore”. Në dialektin dorik DE(Δῆ) emërtohej toka, por në shqip dhe vetëm në shqip, dhe sot e kësaj dite, toka emërtohet DHE. Organi femëror ku ngjizet pjella emërtohet mitër, por shqipja na çon në Zanafillë, tek çifti i parë njerëzor, Adami e Eva, ku fëmijët e tyre me sekse të ndryshme i thanë njëri tjetrit vëlla e motër. Vetëm shqipja e përcakton që në lindje seksin mbartës të mitrës, të pjellorisë. Me emërtimin mater latinishtja shënon periudhën pas pjelljes, kur është bërë nënë.
Z. Kujtim Mateli, i njohur edhe për studimin e thelluar mbi Dodonën pellazgjike, mbështetur në të vërtetën e gjithëpranuar tashmë se kishte një popull parahelen e një gjuhë paraselene, duke analizuar vargjet e Homerit argumentoi se Akil Pelindi ishte pellazg.
Krenarinë për gjakun e gjuhën tonë të lashtë e përçoi Profesor Shaban Berisha nga Kosova, i cili lexoi me të folmen e shqiptarëve të Maqedonisë së sotme një mbishkrim të gjetur në qytetin Pella (sot në Greqi). Mbishkrimi, i dialektit veriperëndimor dorik, datohet i shek. IV p.e.r.
Studiuesi Skënder Hushi, autor i mjaft botimeve mbi lidhjen e shqipes me gjuhën e THOT-it, Atlantidën etj., në referatin e tij “Shqipja – Çelësi i gjuhëve të botës”, solli faktin e pranuar ndërkombëtarisht të shpjegimit të tij për mbishkrimin aztek ANA ANAS NANA ANAS, ku legjenda flet për tri gra me të njëjtin emër që kanë zbritur nga hëna: gjyshe, bijë dhe mbesë. Autori thekson se veç shqipja ia zbërthen kuptimin emrave: Ana e Anës, nana e Anës (Hëna e Hënës, nëna e Hënës).
Anastas Shuke, shumerologu i vetëm shqiptar, që ka thyer tabu në konferencat ndërkombëtare të shumerologjisë duke treguar se kjo gjuhë, më e lashta e shkruar, nuk ka vdekur por flitet edhe sot e kësaj dite nga shqiptarët, solli mjaft shembuj të fjalëve të renditura në fjalorin shumer që jo vetëm fonetikisht janë njëlloj me fjalët e shqipes së sotme, por dhe bartin kuptim të njëllojtë. Shumerologët kanë përcaktuar se ki në sumerisht ka kuptimin vend, por ama shoqërohet me një emër vendi, çka tregon se në fakt është parafjala ke (=te, tek) e shqipes. Shumeria ndahej në dy pjesë, njëra me burime nafte – që ishte tokë e zhuritur, papërshtatshme për bujqësinë dhe quhej ki-uri dhe tjetra me tokë shumë të mirë bujqësore që quhej ki-mir. Kush di shqip e kupton se është gjuha e tij.
Znj. Fiorina Shiko, e Universitetit “Gulielma Marconi”, Romë, me referatin e saj: ”Aramaishtja dhe lidhja e saj me gjuhën shqipe” tregoi me shembuj se gjuha e folur nga Jezusi është me rrënjë fjalësh të ruajtura nga shqipja.
Studiuesi Fredi Balaj, duke folur për simbolikën e germave e çoi më tej idenë e Nezir Myrtajt dhe shpjegoi se forma e flakës së pishtarit është origjina e shenjës për shkronjën F. Fakti që emri flamur në shumë gjuhë shënohet nga flaka e flama, që në shqip shënojnë nxehtësinë, zjarrin a zjarrminë, e vërteton se origjina emërtuese është prej fjalëve të shqipes. Në shqip janë sinonime flama, flaka e zjarri. Etimologët e shpallin me origjinë të panjohur fjalën flag të anglishtes, që shënon flamurin, por ama shtojnë se është një formim imitues i pavarur “duke shprehur nocionin e diçkaje që fryn në erë” (OED, Online Etymology Dictionary). Kurrsesi nuk i referohen shqipes, që i ka të vetat trajtat e shqiptimit në gjuhë të tjera dhe shënon origjinën e vërtetë të lindjes së fjalëve.
Studiuesi Kol Marku paraqiti një dokumentar për mbishkrimet etruske, i realizuar nga studio e tij, duke sjellë dhe interpretimin e tyre nëpërmjet shqipes. Me mjaft vëmendje u ndoqën edhe shpjegimet teorike në bazë të fakteve historike të Profesor L. Pezës e të tjerëve për lidhjet e gjuhës shqipe me familjen pellazgjike të gjuhëve.
Qe e pashpjegueshme mosparaqitja për referimin e parashikuar e pedagogut të universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, Msc Albert Habazaj, atij që bëri të njohur për mbarë shqiptarët vendin me emrin “Varri i Pellazgut”. Ta ketë penguar “linja zyrtare”? Kështu qarkulloi një hamendësim në mjediset e simpoziumit. Dhe më tej, mbase “vigjilenca revolucionare” ka njoftuar “lart” se do referonte dhe Agron Dalipaj, “armiku” i shpallur dhe i vetëshpallur i Çabejt, ndaj pedagogët e shtetit ta kenë bojkotuar simpoziumin!… Urojmë që të mos jetë e vërtetë, por varri i Pellazgut që u ruajt brez pas brezi për mijëra vjet, përse duhet të shpërfillej zyrtarisht!? Po çfarë tha studiuesi i pavarur Agron Dalipaj? Thjesht vuri përpara dy fjalorë etimologjikë zyrtarë, njëri i K. Topallit për shqipen dhe tjetri i Babinjotit për greqishten. Përmendi disa fjalë që Babinjoti thotë se e kanë origjinën nga shqipja dhe po për këto fjalë Topalli thotë se e kanë origjinën nga greqishtja. E udhës do të ishte të përcaktohet se kush e ka gabim, por mjerisht pala zyrtare i shmanget përballjes. Jemi në pluralizëm dhe mendimi ndryshe duhet hedhur poshtë me argumente ose duhet pranuar.
Vlora, që ngriti zyrtarisht flamurin pellazgjik, duhet të prijë, me “partizanë” e “ballistë” së bashku, në trajtimin shkencor të origjinës së racës e të gjuhës sonë. Duhen hedhur poshtë tabutë. Dogma se shqipja na del në dritë me “Formulën e Pagëzimit” (1462) e Buzukun (1555) prodhoi, edhe së fundi, rezultatin e tmerrshëm të Fjalorit të Topallit, i miratuar zyrtarisht, ku shumica dërmuese e fjalëve të shqipes na qenkan të huazuara. (Sipas A. Dalipajt 93% të fjalëve të shënuara në këtë fjalor cilësohen me origjinë të huaj, çka nuk kundërshtohet nga fjalorvlerësuesit).
Vlora shpalosi se nuk pajtohet me përfundimin se shqipja i ka fjalët e huazuara dhe për dy ditë e dëshmoi më së miri se shqipja është deshifruesja e mbishkrimeve të lashta dhe mbetet “fosile e gjallë” e gjuhëve të vdekura. Duke përbashkuar studiues mbarëkombëtarë, Vlora tregoi se nuk pajtohet me mohimin e origjinës tonë hyjnore dhe të gjuhës tonë të stërlashtë.
Pikënisja për punë më të thelluara nuk do të vijë përmes mohimit të gjithë asaj pune studimore të deritanishme, por përmes vazhdimësisë dhe objektivitetit shkencor.
Zyrtarisht pranohet se monedha 2300 vjeçare e Shkodrës, me mbishkrimin SΚΟΔRΙΝΩΝ (SKODRINON), ka dy fjalë të shqipes së sotme: e para sko (shko) është vetëm e shqipes (gjuhësia historiko-krahasuese nuk mund ta krahasojë me asnjë gjuhë tjetër) dhe e dyta drin (fjalë mbarëindoevropiane), shënjuese për ujin e për rrjedhat e ujit, por që e tejkalon këtë familje duke u përdorur edhe nga ujgurët në Kinë. Etimologjia zyrtare indoevropiane e quan fjalën drin me origjinë nga greqishtja e lashtë, (hydro), mirëpo shkodranët e lashtë e paskan përdorë fjalën dri të lidhur natyrshëm me fjalën sko që është e tyrja dhe vetëm e tyrja. Me plot të drejtë mund të themi se shkodranët e atëhershëm paskan patur fjalë më shumë se ajo gjuhë që i kanë vënë emrin greqishte e lashtë. Nga ana tjetër gjuha e lashtë e monedhashkruesve të Shkodrës ruhet e paprekur nga shkodranët e sotëm, çka tregon vazhdimësi të pandërprerë të shqipfolësve në këtë vend ku shkon pandërprerë Drini.
Po si mund të shkojmë tek gjuha e vërtetë e lashtë? Përgjigjen na e japin vlonjatët me vargjet e këngës së Luftës së Vlorës:
Me pushkë të austriakut,
U grinë zhapën e barkut…
E pranon apo jo historiografia jonë zyrtare, e vërteta është se pavarësia e Shqipërisë u arrit falë Austro-Hungarisë. Kjo perandori zbatoi për shekuj me radhë platformën Leibniz për trojet shqiptare. Shkencëtari i madh Gottfried Wilhelm Leibniz, kur ishte këshilltar i perandorisë së Habsburgëve, jo vetëm që hoqi dorë nga përcaktimi i gjuhës shqipe si degë e sllavishtes, por ishte i bindur se tek kjo gjuhë fshiheshin mistere të lashtësisë. Mjerisht, në katedrat e Austrisë për studimin e shqipes u hartua platforma Miklošič – Meyer dhe Bismarku nuk e tha pa bazë thënien “Shqipëria është shprehje gjeografike”, por u mbështet tek raportimi i Meyer për gjuhën e shqiptarëve me ” vetëm 400 fjalët e saj”. Gërshëra e Kongresit të Berlinit preu pa mëshirë trojet shqiptare me justifikimin se shqiptarët nuk janë në tokë të tyre. Pas rënies së Perandorisë osmane platforma Leibniz shpëtoi çfarë mundi nga trojet shqiptare, por e keqja e madhe është se Austria e sotme pothuajse e ka braktisur atë platformë. A mundemi ta anashkalojmë Mejerin e të mbështetemi tek Leibnici e të tjerë studiues të racës shqiptare e të gjuhës shqipe? A mund të ringjallim interesin gjermanik për ne? Përderisa akademitë tona po tregohen të mefshta në trajtimin e lashtësisë së popullit e të gjuhës sonë, përse të mos ta thellojmë nismën rreth Vlorës në këtë drejtim? Bashkë me Vlorën nuk duhet ta lëshojmë nga duart flamurin pellazgjik. Njëherësh, intelektualët të Vlorës me vlera atdhetare të lindura, duhet ta bindin këshillin bashkiak që në programin e aktiviteteve të çdo viti të jetë “Simpoziumi për lashtësinë e gjuhës e të popullit tonë”. Shpreh bindjen se trupa pedagogjike e universitetit të Vlorës do të braktisë me patjetër dogmën se është herezi të flasësh për pellazgët e për gjuhën e tyre; se biznesi vlonjat, do të mbështesë pa mëdyshje ardhjen e studiuesve nga universitetet më të njohura të botës për të trajtuar temat për lashtësinë e autoktoninë e shqiptarëve. Duhen shndërruar në pika peligrinazhi mbarëkombëtar “Varri i Pellazgut” e vendgjetja e Mozaikut të Mesaplikut që flet shqip.
Institucionet mediatike të Vlorës, që përcollën me vëmendje punimet e simpoziumit, dëshmuan se mund të jenë përherë dritare të hapura për studimet e Katapanos, Falaskit, D’Angely-së, Krispit e shumë e shumë të tjerëve që shqipen e shohin si indeks drejt gjuhëve të lashta. V
len të përmendet se përkundrejt indiferencës së institucioneve të shtetit shqiptar ndaj kësaj veprimtarie të rëndësishme, punimet i ndoqi me vullnet të plotë si dhe me miratimin e eprorëve të vet edhe inspektorja e arsimit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, Znj. Shyhrete Reçica. Patjetër që ajo do arrijë, dhe kjo është e domosdoshme, që edhe në Prishtinë të nxisë organizimin e simpoziumeve të tilla, për autoktoninë e shqiptarëve në këto troje të stërlashta. Jemi në kohën kur falsifikimet serbomëdha kanë kulmuar tejet; kur po zhdukin artefaktet e lashta që flasin qartazi për identitetin tonë dhe po vetëshfaqen deri edhe si ilirë. E vërteta shkencore duhet të thuhet sa më parë. Duhet të thyhet heshtja e akademive tona ndaj atyre pseudostudimeve me platforma pansllaviste që financohen nga shteti serb.
Shpresojmë që Prishtina e Vlora të shndërrohen në epiqendrat e debatit për të vërtetat e lashtësisë së shqiptarëve e të gjuhës shqipe.
NAZMI SELIMI
Shkodër, nëntor 2018