HOMER ËSHTË FJALË SHQIPE
HOMER ËSHTË FJALË SHQIPE
Faik Konica është një ndër më të diturit shqiptarë. Intelektin e tij në radhë të parë e përdori që të siguronte jo një sahan dosido, por pjata të arta sidomos nga Zogu e Musolini. Megjithëse ka prodhimtari të pakët na ka lënë gjëra brilante. Më e vyera prej tij është pohimi se fjala e parë e Iliadës Μῆνιν, (MENIN) është fjala meni (mëri) e shqipes. Edhe Ismail Kadare e përmend këtë fakt, dhe bile e quan fjalën më të hidhur të shqipes, por gjithashtu pohon se numri i parë, pra shifra “1” në shqip thuhet njëlloj si para tre mijë vjetësh. Është një gjuhë më e vjetër se gjuha e Homerit thekson Kadare.
Përkundër shkencës zyrtare të gjuhës shqipe që e mohojnë një gjë të tillë dhe e shpallin heretik kush e çon nëpër mend se Iliada e Odiseja nuk janë greqisht, studiuesit shqiptarë vazhdojnë të lexojnë shqip kryeveprat e para të letërsisë perëndimore.
Shumë pranojnë se ka pasë një gjuhë në lashtësi dhe se çelësin e kësaj gjuhe e ka shqipja e sotme që si FOSILE E GJALLE, ka mbetur thuajse e paprekur që nga kohët epike që pëshkruhen në shkrimet e para. Po kryejmë një sprovë duke mos i hapur “Iliadën” e “Odisenë” dhe po lexojmë emrin e autorit në kapakun e librave: Óμηρος – ‘Ómeros- Ómiros. Për këtë emër pranohet se dihet shumë pak. Për të hedhur dritë mbi emrin e autorit po shënojmë kronologjinë e librave të tij me renditje prej kohës së tashme deri në origjinën e hershme.
Së pari: duhet ta kemi të qartë se nuk kemi as edhe një kopje të vetme të “Iliadës” apo “Odisesë” si tekste uniforme nga lashtësia.
Së dyti: librat që kemi në dorë ne sot janë përpunime të jo më shumë se 300 vjetëve më parë. Asnjë botim nuk është i ngjashëm me tjetrin pasi redaktorët pretendojnë se e kanë përmirsuar në bazë të shënimeve të gjetura.
Së treti: nuk kemi kopje më të vjetër se 1000 vjet të dorëshkrimeve të shkëputura, të shpërndara, por të ngjashme, me të cilat është bërë rindërtimi i këngëve.
Së katërti: në bazë të shënimeve në dorëshkrimet ekzistuese, marrim vesh se origjinali ishte botuar nga Aristarku i Samotrakës në shekullin e 2 pes, në kohën kur ishte drejtor i Bibliotekës së Aleksandrisë. Ai kishte vënë re një shmangie të gjerë në veprat që i atribuoheshin Homerit, dhe përmblodhi e rindërtoi një kopje më autentike.
Së pesti: Ndarja aktuale në 24 këngë secila për Iliadën dhe Odisenë u bë në shek 3 pes nga Zenodotus që ishte paraardhës i Aristarkut. Zenodotus ishte redaktori i parë kritik i shkrimeve të shumta që përfshiheshin në përmbledhjet me autor Homerin.
Së gjashti: As Zenodotus as Aristarku askund dhe asnjëherë nuk kanë përmendur ndonjë kopje autentike nga e cila kanë bërë korrigjimet.
Së shtati: në Festivalin Panathinas, ( Lojrat Panathinase), që kanë filluar në 566 pes, rapsodët këndonin vargje nga Odisea dhe Iliada dhe jepeshin çmime për më të mirin.
Së teti: Përmendja më e hershme e punës së Homerit ishte nga Callinus , një poet i messhekullit të 7 pes nga Efesi i Azisë së Vogël.
Së nënti: nuk kemi asnjë të dhënë, asnjë datë se kur ka jetuar Homeri, por shumica besojnë se këngët homerike kanë marrë formë aty nga shekulli i 8 pes.
Së dhjeti: ngjarjeve të cilave u këndohet në Iliada e Odisea janë të një kohe shumë më përpara se hamendësohet se ka jetuar Homeri.
E rindërtojmë kronologjinë e ngjarjeve prej fillimit.
Mijëra vite më përpara, në të dy anët e detit Egje jetonin njerëz që flisnin një gjuhë, kishin të njëjtat zakone dhe mernin e jepnin me njëri tjetrin. Natyrisht që kanë pasë edhe mosmarrëveshtje, tradhëti e luftë mes tyre. Një sherr i madh plasi mes tyre se një djalë mbreti nga lindja (Parisi i biri i Priamit të Ilion-it) preu në besë bregun perëndimor. Kur kishte bujtë në shtëpinë e Agamemnonit, mbret i Argos, i rrëmbeu kunatën (Helenën, gruan e Menelaut). Meqë lindorët nuk pranuan të kthenin gruan që nuk ishte e tyrja, perëndimorët sulmuan lindorët dhe për 10 vjet i mbajtën të rrethuar derisa i shkatërruan me dinakëri. Menelau e merr tradhëtaren e bukur Helenë. Këtu përfundon libri i parë, Iliada, dhe libri I dytë, Odisea, përshkruan peripecitë e 10 viteve të kthimit të Odisesë në Itakë tek gruaja e tij besnike, Penelopa
Si gjithmonë për ngjarjet e mëdha thuren këngë nga rapsodët që transmetohen gojë më gojë duke u përmirësuar e shtuar.
Në shek. 6 pes në Athinë sundonte Peisistratos, që me termat e sotme mund të quhet populisti i lashtë se ndërmori reforma në favor të shtresave të ulta. Ai dhe bijtë e tij pasues organizuan të parat lojra panathinase ku konkuronin dhe rapsodët me këngë epike ku subjekti kryesor ishte Lufta e Trojës dhe ndodhitë gjatë kthimit të Odisesë.. E veçanta e këtij konkurimi ishte se këngët e rapsodëve shkruheshin. Ose të paktën më të mirat shkruheshin.
Këngët e shkruara dërgoheshin dhe në Bibliotekën e Aleksandrisë. Kur në krye të saj ishin Zenodotus e Aristarku nisën klasifikimin e librave. Nga moria e këngëve në përmbledhjet me autor të shënuar Homer përzgjodhën në mënyrë intuitive dhe botuan më të mirat këngë duke i redaktuar e plotësuar duke shënuar si autor emrin Homer. Djegiet e Bibliotekës së Aleksandrisë bënë që të mos kemi asnjë kopje të përmbledhjes së tyre, por pas territ 1000 vjeçar dorëshkrimet e ndryshme i ribashkuan dhe sipas shënimeve të Zenodotusit e Aristarkut u rikrijuan Iliada e Odisea. Dalja e makinave të shtypshkrimit natyrisht që ishte shpëtimtare edhe për kryeveprat e para që u shumëfishuan, gjithmonë duke u përmirësuar.
Studiuesit e këtyre veprave duke u nisur nga stili i përdorur janë të mendimit se nuk janë të të njejtit autor. Ky dyshim përforcohet nga gjuha e përdorur, pasi kemi edhe dialektin jonik (bregu lindor) dhe aeolik (bregu perëndimor) Herodoti arrin në përfundimin se këngët nuk janë shkruar nga Homeri. Mbi këtë bazë mbizotëron mendimi se kemi krijimtari të transmetuar gojë më gojë nga rapsodët e ndryshëm dhe emri I autorit Homer është emri i përgjthshëm: rapsod.
Pseudo-Herodoti dhe Plutarku sqarojnë se emri Homer kishte një kuptim relativisht të panjohur “të verbër”.
Në “Himnet Homerike” kemi një varg nga himni i Apollonit që sqaron se Homer është rapsod i verbër dhe Thukididi pretendon se autori i himnit është një rapsod i verbër nga Kios
Ne kemi dhe vetëdëshminë tek Odisea pasi cilësohet se një rapsod i verbër me emrin Demodocus e bën Odisenë të përlotet me këngët e tij.
Nuk është nevoja të përmendim dëshmi të tjera pasi kuptohet se e gjithë krijimtaria e rapsodëve të asaj kohe përfshihet nën nji emër Homer dhe se rapsodi është i verbër.
Në kapakun e librave pra kemi emrin Óμηρος – ‘Ómeros. Në këtë fjalë heqim mbaresën os dhe kemi fjalën Omer që në fakt është ngjizje e tri fjalëve që përbëjnë një fjali që etiketon të verbërin:
OMER = O M ER = O M’ ER = O MË ERR = OSHT MË ERR = ASHT MË ERR = ËSHTË MË ERR
Në kujtesën shekullore të vazhduesve Homerikë është e ngulitur bindja se rapsodi është i verbër, është qorr, është pa dritë, është në terr. Në filmin për heroin tonë kombëtar, Skënderbeun, natyrisht që dikush do t’i këndonte trimëritë të tij. Me këngën e rapsodit qorr mbyllet filmi.
Ku ka shembull më të mirë se transmetimi gojë më gojë për mijëra vjet i Kanunit Shqiptar, që vonë, tepër vonë, e kodifikoi Shtjefën Gjeçovi. Pikë për pikë është Kodi Zakonor i kohës Homerike.
Studiuesit homerikë gjithshka kanë analizuar me detaje, por anashkalojnë ligjin themelor të racës pellazgjike: paprekshmërinë e femrës. Helena e bukur si Hëna e zgjodhi vetë që të bëhej gruaja e ligjshme e Menelaut. I gjithë faji i ikjes së saj me një tjetër mashkull bie mbi burrin e saj që e la vetëm. Natyrisht që Parisi është besëpremi, bukëpërmbysuri. Të gjthë ish mëtuesit e Helenës së lakmuar prej tyre, nuk i gëzohen faktit se i iku gruaja rivalit të tyre. Ata janë kanunorë, të ndershëm e të besës, armiq të të pabesëve. Pas 10 viteve luftë, vuajtje e gjak u arrit që të mposhteshin trojanët.
Studiuesit merren hollësisht me Akilin e të tjerë dhe aktin final, thjesht e përmendin dhe pak ose aspak e analizojnë faktin kokëfortë: Menelau merr Helenën e së bashku shkojnë të bëjnë jetën e tyre. Këtu e kështu përfundon libri i parë. Iliada.
Përsëri studiuesit merren me Odisenë që udhëtoj 10 vjet për kthimin në Itakë, por kryesorja është sojnikja Penelope që spranon burrë tjetër. Askush nuk guxon ta marrë me forcë. Ajo është e paprekshme. Edhe libri i dytë, Odisea, përfundon me bashkimin e Penelopës me burrin e saj të ligjshëm, Odisenë
Të gjithë ata që nuk e dinë, i ftoj të hapin KANUNIN dhe ta lexojnë nen për nen. Do të gjejnë të vërtetën homerike: Gruaja eshtë e paprekshme. Burri jo e jo, por, as djali i saj nuk ka të drejtë ta ndëshkojë të ëmën e tij për fajin e rëndë të tradhëtisë bashkëshortore…. Jo ata që e kanë me të dëgjuar, por vetëm kush e lexon vetë me vëmendje Kanunin Shqiptar, besoj do ta kuptojë se përse Menelau e mori Helenën edhe pasi ajo kishte ndenjë me tjetërkënd për 10 vjet.
Pamvarësisht se Shtjefën Gjeçovi e titulloi “Kanuni i Lek Dukagjinit”, bash në parathënien e këtij libri, Gjergj Fishta tërheq vëmendjen se Kanuni nuk është i Lek Dukagjinit, por i t’Lekajve dhe i Dukagjinit. Të tjerë thonë se është Kanuni i Lekës së Madh, por e vërteta e çon tek kohët homerike e parahomerike.
… Seç kemi një zakon që të citojmë ndonjë të huaj që i ka rënë rruga këndej nga trojet tona dhe ka hedhur ca llafe të mira për ne, pasi i kemi bërë nderime sikur të vinte prej qiellit thjesht se ka qenë në besën tonë si mik i ardhur nga larg. Unë po citoj pa as më të voglin ndryshim çfarë shkruan djaloshi i ri shkodran Muhamet Bala që ju dha rasa të shkruajë për dramën shqipe në shtypin e kohës.( Rev. Kultura Islame, Nr. 5, 1942)
E në se në Shqipni s’dolën vepra shkrimtarësh si te Grekve të vjetër, na i ndiemë e i jetuemë ato dridhje e ngjarje te tragjedjanve te mëdhej greke: Na i rrfejnë dhe sot kangët popullore: Vërejm kah na pershkohen fëtyra mithologjike drangojsh, kulshedrash, perbindshash, shtojzovallesh, floçkash, zanash etj.; herë heroj që nisen ndër ndërmarrje të mëdhaja, herë gra të veja qe lidhin me dredhi djalin ndër shkula të bishtalecave per me u lëshue mandej ndër dëshirat përvluese e mbytse t’epshit kapërthyes; këndej vërejme vajtime, dënesje, gulshime kundra rriskut e Fatit të mallkuem, kundra Nafakës bishtinuese. (Asht njaj Fatalis që asht gadi të thuesh krejt landa e shljellimit të tragjedve të mëdhej Grek ndër trilogjinat e shumta të tyne). Pra si nisje fillimtare e dramatikës ndër ne mund të thomi se qe Darsma. Asht e para nisje e nji skenës, personazhet e të cillës, janë vetë vendasit: Marrja e nuses, çuemja në shtëpi të djalit, të shtruemit e sofrave, miqtë e të ftuemit të mveshun me petkat ma të mira, kangët që këndoheshin ndër çardaqe të hapët o ndër oborre të mëdhej, vallëzimi i burrave ngjitë krah për krah e lëvizjet në të sjelluna të kërcimevet, ban me mendue se me të vërtet darsma si edhe vdekja pa-ralajmrojnë ardhmëninë e nji theatro jo ma të zhvillueme, ma të përkryeme; ku të lejnë aktorët që do të losin pjesën e dramës së shkrueme. Por kohët ndrrojnë e në Shqipni mbetë deri ketu zhvillimi i nji skenës reale.
Trobadori qe për ne, kangtari që i a thotë kangës ne nji krah. Qerret e Thespit qenë darsmat shqiptare me valle, kangë, kërcime, dajre, qemale, lahutë. Burrat hiedhin vallen ku vlon darsma. Xhingirrimet e dajreve tringullojnë e përzihen me trokitjen e duerve e me zanet e lëshueme për rreth. N’anë tjetër vlon ahengu. Zien darsma. Këndohen e perlavdohen nusja e burri: «Sa bukur na ka dal nusja «Dëgjohen kangë burrnijet, kallxohen prej poetit anonym trimnit e Shqiptarit kundra anmikut, kundra drangojve, shtojzovalleve etj. etj.
Me paraqitje të gjasueshme levizjesh kryhet edhe Vdekja: Në dhomën mbush me gjind qëndron kufoma. Edhe sot jane gra hartiste të pagueme që «qajnë bukur». Grueja që «qanë» qëndron para të vdekunit e aty në kambë rreshton, stolis e perlavdon me fjale të përvajshme, grisë, zemër zhgulëse, mbarë jetën e të shuemunit. Me nji kadencë rituale, kercasin shplakët e plakave për rreth shtratit. Nuset, rejat, vajzat, të mbulueme me ruba deri ndër sy, lëshojnë këlthitje të gjata, të nalta, shpërthyese. Namin vendin e gjithçka kan, për kobin e zi që i u ka ra, për kët zezim të përçudshëm. Ushtojnë at’botë nëpër dhoma britma të gjinikueme prej zemret e cijatje te perdhunta, artificjale. Por njisoj zanet rrahin zdatkat me shungullimë: «Ku-ku-ku-u-u!…..»
Kemi nji gjasim të skenës së vdekjes ndër malcina te veriut me paraqitjet….
Këtu po vazhdoj unë pasi kam parë me sytë e mi ritualin e Gjamës, (vdekjes), në trevën e Dukagjinit. I njilllojtë, ashtu siç e përshkruajnë Herodoti e të tjerë autorë të lashtë. Burrat ecnin duke grishë fytyrën e duke rrahë gjoksin me duar të mbledhura grusht. Ndërsa i afroheshin kufomës britma e tyre përsëritej në kor me zë të lartë. O I MJERI UN PËR TY… O I MJERI UN PËR TY… Nuk arrija të kuptoja nëse unë ndodhesha në kohë tjetër apo koha tjetër kishte ardhur ta shihja unë. Asgjë e jashtëzakonshme. Para syve kisha Homerin së bashku e personazhet e tij, dhe kuptova se sinteza e jetës nuk është asgjë tjetër veç vargu: O I MIRI TI PËR NE që shndrohet në O I MJERI UN PËR TY.
***
Me fjalën OMER nisin librat e parë perëndimorë dhe këtu nis leximi në Njigjuhën e lashtë që ruhet pastërtisht prej shqipfolësve. Kush e lexon shqip kapakun kupton gjithë çka shkruhet brenda. Çdo emër vendi, njeriu apo perëndie, kuptimin e saktë e ka veç në shqip. A do të vazhdojmë qorrazi të besojmë “fantashkencën” se ka pasë nji popull paraindoevropian e nji gjuhë paraindoevropiane që na paskan hupë prej faqes së dheut, apo do të na hapen sytë të lexojmë e ti kuptojmë fjalët e qorrit, atij që o m err. Kjo fjalë është guri i provës. Kush di shqip ka dijeninë e botës.
Nazmi Selimi Shkodër, 31.01.2017